“Çdo vonesë ju ngarkon me përgjegjësi”, Proda: Brenda ditës së sotme çdo njësi buxhetore të kalojë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë!

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka dhënë urdhër Departamentit për Shërbimet mbështetëse në DPPSH, që brenda ditës së sotme të kalojnë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë. Proda shtoi se çdo vonesë ngarkon Departamentin për Shërbimet mbështetëse në DPPSH me përgjegjësi.

“Brenda ditës së sotme, çdo njësi buxhetore të kalojë në thesar pagesat e prapambetura të punonjësve të Policisë. Çdo vonesë ju ngarkon me përgjegjësi”, thuhet në urdhrin e Prodës.

Pagesat e prapambetura të punonjësve të policisë përfshijnë orët suplementare, orët e natës, dietat e prapambetura, shumat në lidhje me dietat ushqimore dhe çdo pagesë tjetër. Nga të gjitha njësitë buxhetore prej mëngjesit të sotëm po kryhen veprimet me thesarin për të kaluar pagesat. Shuma e cila ka kaluar me anë të Aktit Normativ është 1.5 mld lekë, shumë e cila nuk ka të bëjë me shpërblimet, por vetëm me pagesat e prapambetura.