Bosnje-Hercegovina bllokon ngarkesën me pjeshkë nga Shqipëria: Kanë pesticide, shumë të rrezikshme për fëmijët

Agjencia për Sigurinë Ushqimore e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur alarmin për pjeshkët e importuara nga Shqipëria. Kjo sepse pas një kontrolli, pjeshkët nga Shqipëria që eksportohen në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë rezultuar me përmbajtje të ndaluar pesticidi.

Ky është lajmi që ka qarkulluar prej një jave tashmë në mediat boshnjake. Bëhet fjalë për praninë e pesticidit klorpirifos, një substancë që “nuk është në përputhje me Rregulloren për nivelet maksimale të mbetjeve të pesticideve në ushqimin me origjinë bimore dhe shtazore”.

Agjencia për Sigurinë Ushqimore e Bosnjës dhe Hercegovinës njoftoi se në një mostër pjeshke është konstatuar prania e klorpirifos. Agjencia saktësoi se bëhet fjalë për një lot të datës 12 gusht 2025, klasa II, korrje e vitit 2025.

Ekspertët boshnjakë, paralajmërojnë se konsumimi i këtyre pjeshkëve, veçanërisht nga fëmijët, “mund të tejkalojë ndjeshëm kufijtë e sigurisë dhe paraqet rrezik të lartë për shëndetin”.

Pjeshkët e kontestuara sipas mediave boshnjake, e kanë kaluar kufirin pa pengesa dhe kanë përfunduar në tregun e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Rrezik i lartë për fëmijët

Agjencia në Bosnjë dhe Hercegovinë paralajmëron se konsumimi i këtyre pjeshkëve nga fëmijët mund të përbëjë rrezik serioz për shëndetin, pasi klorpirifosi, në doza të larta, mund të shkaktojë stimulim të tepruar të sistemit nervor, duke çuar në të përziera, marramendje, konfuzion, dhe në raste ekstreme, paralizë respiratore dhe vdekje.

“Vlerësimi i shpejtë i rrezikut ka treguar se konsumimi i këtyre pjeshkëve nga fëmijët përbën rrezik të lartë për shëndetin,” deklaroi Agjencia, duke shtuar se të gjitha informacionet janë përcjellë tek organet inspektuese kompetente.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve, Nedzad Biço, fajëson institucionet përgjegjëse për kontrollin e importit të ushqimeve.

“Shoh si përgjegjëse të gjitha institucionet që mbikëqyrin kalimin e kufirit dhe hyrjen e mallrave, veçanërisht ushqimoreve. Këto mallra rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe dëmtojnë prodhimin vendas. Ku është inspektorati fitosanitar në kufi?” tha Biço.

Ai paralajmëron se ky nuk është një rast i izoluar.