Boksieri shqiptar mposht në ring serbin, i tregon flamurin kuqezi para syve

DURRËS –  Në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës u zhvillua turneu i boksit “Open Balkan”, ku shqiptari Leo Xhangoli mposhti serbin Vukajlovic-Vuk Krusevac dhe më pas i tregoi para syve flamurin kuqezi.

Në këtë kompeticion ku morën pjesë boksierët më të mirë të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, spikati Leo Xhangoli, i cili zhvilloi ndeshjen kryesore e eventit.

17-vjeçari durrsak që përfaqëson klubin e Teutës dhe garon në peshën deri 80 kg, mundi me pikë boksierin serb Vukajlović Vuk-Kruševac pas një ndeshje tepër emocionuese.

Në përfundim të tre raundeve, Xhangoli fitoi me pikë 30-27. Kjo ishte fitorja e tretë në tre ndeshje në total për boksierin që ka spikatur tek të rinjtë e Teutës, falë punës së trajnerit të tij Enton Kikrri.