Vendimi i Bashkisë Elbasan për të bllokuar për një muaj bulevardin “Aqif Pasha” në kuadër të festave të fundvitit ka sjellë këto ditë kaos dhe trafik të rënduar në rrugët e qytetit. Elbasanion e trajtoi një ditë më parë këtë problematikë duke sjellë pamje të trafikut të rënduar në qytet, ndërsa vetë drejtuesit e mjeteve shpreheshin të revoltuar për bllokimin e bulevardit për mjete dhe uzurpimin nga bar-kafetë. Një ditë më pas Bashkia Elbasan tenton të disiplinojë trafikun si pasojë e bllokimit të bulevardit duke njoftuar drejtuesit e mjeteve se rruga “28 Nëntori” duke nisur nga nesër datë 11 dhjetor do të funksionojë me dy kahe lëvizje” gjatë gjithë muajit dhjetor. Sakaq përtë mundësuar lëvizjen me dy kahe, parkimi i mjeteve do të lejohet vetëm në njërën anë.
Njoftimi i Bashkisë
Bazuar në ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” (i ndryshuar), në ligjin 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” (i ndryshuar), në VKM nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” (i ndryshuar), në VKM nr.1096 datë 28.12.2015 “Për miratimin e rregullave, kushteve e procedurave për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike”, në ligjin nr. 8378 datë 22.07.1998 “Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar).
Për mbarëvajtjen e lëvizjes dhe zhbllokimin e trafikut në qytet gjatë muajit Dhjetor, Bashkia e Elbasanit njofton drejtuesit e mjeteve se rruga “28 Nëntori” do të funksionojë me dy kahe lëvizje” duke nisur nga data 11.12.2023.
Për të mundësuar lëvizjen me dy kahe, parkimi i mjeteve do të lejohet vetëm në njërën anë.
Shtimi i lëvizjes së mjeteve gjatë muajit të festave krijon fluks trafiku në qytet. Për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në këto ditë të ngarkuara, Bashkia e Elbasanit po merr masa për lehtësimin e qarkullimit.
