Bllokohet plotësisht aksi Librazhd–Prrenjas

LIBRAZHD – Autoriteti Rrugor Shqiptar ka urdhëruar bllokimin e menjëhershëm dhe të plotë të aksit rrugor Librazhd–Prrenjas, për shkak të rrezikut të shembjes së një ure në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.

Vendimi vjen pas përkeqësimit të situatës në 48 orët e fundit. Sipas kreut të ARRSH-së, struktura e urës ka pësuar zhvendosje të vazhdueshme, ndërsa në pjesën e poshtme është konstatuar degradim i betonit, duke e bërë të pasigurt qarkullimin për çdo lloj mjeti.

“Prej javësh e kemi mbajtur në monitorim, por së fundmi ka pasur përkeqësim të ndjeshëm. Në orët e mëngjesit zhvendosja ishte 27 metra, aktualisht ka arritur në 29 metra. Betoni poshtë urës po thërrmohet, ndaj jemi të detyruar të bllokojmë totalisht trafikun”, deklaroi ai.

Autoriteti Rrugor thekson se, për momentin, nuk mund të jepet një afat i saktë për rihapjen e segmentit, pasi ndërhyrja do të varet nga vlerësimi teknik në terren dhe nga shkalla e dëmtimit të strukturës.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks, pasi ekziston rreziku i krijimit të radhëve të gjata dhe bllokimit të plotë të qarkullimit. Sipas të dhënave paraprake, dëmtimi lidhet me faktorë natyrorë, duke qenë se zona konsiderohet ujëmbajtëse dhe me lëvizshmëri të lartë të tokës.