Blendi Himçi: Për elbasanasit uji po bëhet një luks, nga 1 gushti çmimi do të rritet deri në 87 lek për metër kub!

ELBASAN- Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Bledi Himçi:

Të nderuar qytetarë, Sot jam këtu për të denoncuar një vendim të padrejtë, i cili prek drejtpërdrejt xhepin dhe dinjitetin e çdo familjeje në Elbasan dhe në bashkitë përreth. Bëhet fjalë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, një shërbim bazë jetik, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2025, pas miratimit nga Enti Rregullator i Ujit.

Kjo tarifë e re nuk është një vendim i sotëm. Ajo është miratuar një vit më parë nga mazhoranca në Këshillin Bashkiak, me votat e këshilltarëve socialistë, pavarësisht kundërshtimit të hapur dhe të argumentuar nga ana jonë si opozitë.

Sot, kur qytetarët përballen me temperatura ekstreme, me çmime të papërballueshme dhe me shërbime të paplotësuara, vjen edhe kjo goditje e re: nga 40-48 lekë për metër kub, tarifa rritet në 60 lekë për të gjitha bashkitë e qarkut. Në Gramsh, rritja arrin deri në 87%.

Ky vendim nuk përfaqëson asnjë reformë reale. Përkundrazi, është pasojë direkte e politizimit dhe fryrjes së administratës së UK Elbasan, sidomos gjatë fushatës zgjedhore. Argumenti për “përmirësim të performancës financiare dhe mbulim të kostove” është një mbulesë për dështimet menaxheriale dhe mungesën e investimeve të mirëfillta.

Realiteti është ndryshe! Në shumë lagje të qytetit, qytetarët vuajnë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, pavarësisht punimeve që zvarriten prej më shumë se një viti. Shërbimi jo vetëm që nuk është përmirësuar, por në shumë raste është degraduar.

Vetë ERRU i ka kërkuar UK Elbasanit të përshpejtojë instalimin e ujëmatësve dhe të përmirësojë sistemin e matjes. Ndërkohë, fatura mujore për një familje mesatare do të rritet me 600 deri në 900 lekë, për të njëjtin shërbim që ende nuk garantohet.

Për më tepër, kjo është pasoja konkrete e të ashtuquajturës “reformë” e ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës, që hoqi përgjegjësinë nga njësitë vendore dhe i kaloi ujësjellësat në varësi qarku ,duke krijuar struktura të mëdha, pa efikasitet, pa llogaridhënie dhe pa kontroll qytetar.

Ne si opozitë do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë tarifë dhe kërkojmë transparencë dhe rishikim të plotë të kësaj politike të dështuar që godet drejtpërdrejt familjet më në nevojë.

Elbasani është një nga qarqet më të varfra të vendit. Ky qytet nuk ka nevojë për fatura më të larta. Ka nevojë për shërbim më të mirë, për investime të ndershme dhe për respekt ndaj qytetarëve. Uji është një e drejtë. Nuk mund të bëhet luks. Çdo vendim që e shkel këtë të drejtë do të ketë përballjen tonë publike, politike dhe institucionale.