Bizneset nuk po gjejnë shoferë, paga neto arrin 1,000 euro

TIRANA- Bizneset në vend po vuajnë gjithnjë e më shumë mungesën e fuqisë punëtore. Një ndër pozicionet me mungesë të lartë aktualisht, sipas kompanive, është gjetja e shoferëve. Problematika për mungesës e gjetjes së punonjësve të drejtimit të mjeteve po haset si nga kompanitë distributore të artikujve ushqimore, të transportit urban dhe transportit ndërkombëtar të mallrave. Nga sektori privat, për të parandaluar përshkallëzimin e mungesës për gjetjen e drejtuesve të mjeteve po zbatohet politika e rritjes së pagave.

Përfaqësues nga kompania “Marketing & Distribution” pohuan se ka vështirësi në gjetjen e punonjësve në pozicionet mbështetëse, veçanërisht shoferëve. Për zgjidhjen e problematikës kompania ka rritur pagat neto deri në 1,000 euro, të drejtueseve të mjeteve që shpërndajnë brenda vendit produktet ushqimore. Vështirësi po hasen edhe në gjetjen e drejtuesve të kamionëve që transportojnë mallrat e importuara jashtë.

Rodolf Xhillari nga kompania “Balkan Trans Albania” pohoi më herët se 25 deri 30% e mjeteve qëndrojnë pa punë, pasi mungojnë drejtuesit e kamionëve. Sipas tij kjo mungesë vjen për shkak të emigrimit të shoferëve drejt vendeve të BE-së, veçanërisht në Gjermani për paga më të larta. Paga minimale e drejtuesve të kamionëve në Shqipëri varion nga 500 deri në 600 euro, ndërsa maksimalja nis nga 1,000-1,500 deri 2,000 euro.

Rrogat për drejtuesit e kamionëve në Europë nisin nga 2,000 euro. Edhe Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni pohoi për Monitor se po hasin vështirësi për gjetjen e shoferëve të autobusëve për linjat publike në Tiranë. Sipas tij zgjidhja e vetme që është ndërmarrë është rritja e pagës. Sipas tij paga mesatare e një shoferi autobusi ka arritur 90 mijë në muaj, ndërsa e një faturino75 mijë në muaj.

Theksojmë se bizneset vendase po hasin vështirësi për gjetjen e fuqisë punëtore edhe për pozicione të tjera, siç janë punonjësit e magazinave, sanitarë, ekonomistë etj.

Sakaq kriza e mungesës së shoferëve po përshpejtohet me shpejtësi edhe në Europë. Një raport i i publikuar më 2022 nga IRU (Unioni Ndërkombëtar i Transportit Rrugor) ngriti shqetësimin se hendeku në rritje midis shoferëve në pension dhe atyre të rinj pritet të rrisë deri në 60% mungesën për shoferë kamionë dhe deri në 50% për shoferë autobusi në Europë.

Raporti thekson se pa veprime për ta bërë profesionin e shoferit më të aksesueshëm dhe tërheqës, Evropës mund t’i mungojnë mbi 2 milionë shoferë deri në vitin 2026, duke ndikuar në gjysmën e të gjitha lëvizjeve të mallrave dhe miliona udhëtime pasagjerësh./ Monitor