Protestat kundër qeverisë dhe lidershipit politik, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, të cilat kanë vijuar për më shumë se një muaj në bulevardin kryesor të Tiranës, janë shoqëruar nga një prani e vazhdueshme e elementëve artistikë, që kanë tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve, por edhe të mediave vendase dhe ndërkombëtare.
Instalacione, ilustrime, pankarta, performanca dhe simbole vizuale janë krijuar nga një grup të rinjsh të organizuar nën emrin “Ritmi i Rezistencës”, të cilët synojnë t’i japin protestës një formë shprehjeje të ndryshme nga protestat tradicionale politike.
Në qendër të kësaj gjuhe vizuale qëndron flamingoja, simboli kryesor i protestës, e cila është shfaqur në forma të ndryshme artistike dhe është bërë elementi më i identifikueshëm i marshimeve në bulevard.
Sipas aktivistit Arnen Sula, pjesë e grupit “Ritmi i Rezistencës”, arti nuk ka shërbyer si një element dekorativ, por si një mënyrë për ta bërë protestën më të dallueshme dhe mesazhin e saj më të qëndrueshëm.
“Krahas thirrjeve dhe pankartave, prania e flamingove ka krijuar një identitet vizual që e bën protestën më të dallueshme dhe më tërheqëse,” tha ai për BIRN.
Sipas Sulës, arti ndihmon në bashkimin e njerëzve me bindje dhe përvoja të ndryshme rreth një kauze të përbashkët.
“Arti e bën protestën më të komunikueshme, më të prekshme dhe tërheq më shumë vëmendjen e publikut dhe të medias,” shtoi ai.
Për grafisten dhe artisten multidisiplinare Elsa Paja, protesta ka krijuar një hapësirë ku arti politik është shfaqur jashtë institucioneve kulturore.
“Përfshirja e kaq shumë artistëve në protestë jo vetëm që i ka dhënë më shumë vlerë protestës, por ka krijuar edhe një hapësirë të re krijuese në Shqipëri,” tha ajo.
Paja argumentoi se një pjesë e skenës artistike në vend është bërë e varur nga institucionet publike, ndërsa protesta, sipas saj, u ka krijuar artistëve mundësinë ta përdorin artin si formë rezistence.
“Janë me dhjetëra artistë që janë përfshirë dhe kanë guximin ta përdorin artin si formë rezistence, ashtu si në thelb do të duhej të ishte edhe vetë funksioni i artit,” tha ajo.
Sipas Pajës, angazhimi qytetar është parakusht për çdo ndryshim shoqëror.
“Fjala ‘revolucion’ në shesh nuk është një fjalë boshe. Revolucioni nis te secili prej nesh, me kalimin nga ankimi te angazhimi,” tha ajo.
Pas më shumë se një muaji protestash, artistët dhe aktivistët pranojnë se ritmi i përditshëm ka qenë fizikisht i lodhshëm, por thonë se ai ka krijuar edhe lidhje të forta mes pjesëmarrësve.
“Përtej protestës, është krijuar një komunitet,” tha Sula.
“Ora dhe vendi i takimit tashmë dihen. Bulevardi është kthyer në një pikëtakim ku mblidhen njerëz me energji, ide dhe dëshirë për ndryshim.”
Edhe Paja e përshkroi këtë ndjenjë komuniteti duke iu referuar simbolit të protestës.
“Këto ditë secili prej nesh ndihet flamingo. Flamingot, kur bëhen bashkë, e kanë shumë më të lehtë fluturimin,” tha ajo për BIRN.




