Bilanc tragjik nga aksidenti në Vlorë: shkon në tre numri i viktimave

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur mbrëmjen e së dielës në Vlorë ka përfunduar me pasoja tragjike, duke e çuar në tre numrin e viktimave.

Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur “kokë më kokë” në aksin rrugor Vlorë–Kotë. Si pasojë e përplasjes së fortë, dy drejtuesit e mjeteve humbën jetën në vendngjarje. Viktimat janë identifikuar si Adi Alushaj, rreth 30 vjeç, dhe Esat Brahimaj, rreth 40 vjeç.

Nga aksidenti mbeti i plagosur rëndë edhe një pasagjer, i cili u transportua me urgjencë në spital. Bëhet fjalë për Andrea Begaj, rreth 40 vjeç, i cili ndodhej në automjetin e drejtuar nga Brahimaj. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë disa orë më vonë.

Në aksident u përfshinë një automjet tip “Benz”, me targa FR4044C AA, i drejtuar nga Alushaj, si dhe një automjet tip “Ford” me targa AB309FL, i drejtuar nga Brahimaj.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të këtij aksidenti të rëndë.