Berisha: Të lirohen menjëherë protestuesit! Janë arrestuar edhe dy kosovarë që kishin ardhur si turistë

TIRANA- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas ndalimeve të kryera nga Policia e Shtetit pas protestës së zhvilluar një ditë më parë, duke i cilësuar veprimet e uniformave blu si të pajustifikuara dhe me karakter represiv ndaj qytetarëve që, sipas tij, protestuan në mënyrë paqësore. Në një konferencë për shtyp, Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të personave të ndaluar, duke theksuar se mes tyre ndodhen edhe dy shtetas nga Kosova, të cilët ndodheshin në Shqipëri për arsye turistike dhe nuk kishin lidhje me ndonjë akt dhune.

Sipas tij, ndalimi i tyre përbën një përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të stigmatizuar protestën. Ai paralajmëroi autoritetet policore që të ndalojnë çdo formë presioni apo force ndaj protestuesve, duke nënvizuar se përdorimi i dhunës dhe arrestimet selektive janë shkelje e ligjit dhe synojnë kriminalizimin e kundërshtimit qytetar.

PJESË NGA FJALIMI:

Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe provokacionet dhe terrorin policor ndaj disa të rinjve, të cilat nuk kanë kryer absolutisht as edhe aktin më të vogël të dhunës. Janë ndaluar 10, nga të cilët 4 janë arrestuar. Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi, Xhejson Prendi. Dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur dhe janë arrestuar nga policia sapo kanë marrë vesh se janë kosovarë për të mundur me akuzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta.

E vërteta është që këta të dy kanë ardhur si turistë. Kanë qenë këtu pas protestës. Kanë bërë foto.Njëri më tha, që jam djali i një luftëtari të UÇK, dhe unë e përqafova, bëra një foto me të. Tani këtë e kanë arrestuar. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tyre dhe paralajmëroj policinë të mos prekë me dorë protestuesit se ata po luftojnë kundër hajdutëve të kombit, kriminelëve në detyrë.Të mendohen mirë, të qëndrojmë më mirë me ligjin se me kriminelin, të lirojnë menjëherë personat e arrestuar.