Berisha takim në teatrin ‘Skampa’ në Elbasan. Në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje, njëlloj siç zhvilloheshin në diktaturë autoritare

ELBASAN- Kreu i Partisë Demokartike, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje, njëlloj siç zhvilloheshin në diktaturë autoritare. Gjatë fjalës së tij në foltoren me demokratët e Elbasanit, Berisha u shpreh se Edi Rama kurrë nuk fitoi zgjedhjet, por i rrëmbeu ato.

Ai tha se edhe në 2021-shin i mori zgjedhjet, ndonëse nuk arrestoi drejtuesit e opozitës, nuk bëri amnisti me 2 miliardë euro e të tjera, po prapë i grabiti zgjedhjet. Lideri i opozitës deklaroi se raporti tregoi se zgjedhjet kanë qenë farsë elektorale dhe thanë që në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti.

Ai tha se Edi Rama përdori dhjetëra milionë euro, përdori të gjitha lidhjet e tij, të gjitha lobimet e tij, që të ndryshonte raportin dhe të mos botohej. Në fund, Berisha tha se raporti u vonua si kurrë ndonjëherë, një muaj e gjysëm, por në fund u publikua.

“Po bisedoja para dy muajsh, erdhi një delegacion parlamentar europian. Tetë deputetë të parlamentit europian. Njëri prej tyre, socialist, italian, gazetar i shquar, sepse e njihja. Dhe natyrisht si i majtë, kjo nuk ishte muzika që i pëlqente shumë. Por në një moment, i them, zotëri; droga i them është fuqi e jashtëzakonshme. Më pa dhe shtangu. Po më thuaj ti pak, i them, një njeri anonim që unë ja kam mësuar emrin para tre muajsh dhe ti s’ia ke dëgjuar ndonjëherë, me 6 miliardë euro nëpër banka, a mund ta imagjinosh ti fuqinë e verbër të tij?

Ngeli, shtangu. Pra, pse u ndalën këto? Demokratë e demokratë, Edi Rama kurrë nuk fitoi zgjedhjet. Kurrë! Në mënyrë absolute, i rrëmbeu me dhunë, me forcë, me të gjithë forcën e shtetit, me të gjitha mjetet e ligjshme dhe të paligjshme. A ka gjë të re këtu? Jo, për mua nuk ka. Unë kisha deklaruar në mënyrë të përsëritur se me këtë nuk bën zgjedhje, s’kemi zgjedhje. Por kisha bërë një zotim tjetër; Do mbroj votën tuaj. E kisha bërë një herë unë këtë, mbrojtjen e votës në 2001-shin. Ju kujtohet ju. Një betejë shumë e vështirë është ajo. E njihja si është.

Edhe në 2021-shin i mori zgjedhjet, ndonëse as nuk arrestoi drejtuesit e opozitës, nuk bëri amnisti me 2 miliardë euro e të tjera, po prapë me aq sa dha, i grabiti zgjedhjet. Dhe shkruajta të pasnesërmen artikullin; Vota vdiq pa hyrë në kuti. Dhe i kërkova kryetarit të asaj kohe, tani thashë, të mbrojmë votën. Të mbledhim çdo fakt, dokument, dhe i tregova të gjithë rrugën që do ndiqnim për të mbrojtur votën. Ai u mor me gjëra të tjera dhe iku ajo. Tani, po. Ishim zotuar se do mbrojmë votën. Këtë e bëmë. Këtë e bëmë në të gjithë Shqipërinë. E bëmë këtu në Elbasan dhe unë ju jam mirënjohës shumë demokratëve të Elbasanit, drejtuesve, deputetëve, për punën që bënë, për dokumentet që sollën, për dokumentimet që i bënë dhunimit masiv të votës.

Dhe kjo ishte shumë e rëndësishme. Kjo punë, kjo platformë, ky përkushtim bëri që me datën 12 nëntor, raporti i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, të ishte më i keqi që ishte shkrojtur dhe publikuar ndonjëherë. Çfarë ndodhi? Që duhet t’i dini këto, se jemi në një prag, moment shumë të rëndësishëm si parti. Edi Rama thërret në zyrë dhe kërcënon si bandit drejtuesin e vëzhguesve. Do mi faktosh ti ato thotë, se përndryshe këto e këto e këto. Burrë fisnik, njeri me integritet të lartë. Ai sigurisht, mbeti, të themi i tronditur dhe i habitur se si mundet një kryeministër të sillet në këtë mënyrë. Por, natyrisht, e morëm vesh që është sjellë në këtë mënyrë.

Ministri i tij i Jashtëm merr vëzhguesin në telefon thotë, do t’ju përzëmë, do t’ju heqim akreditimin për ato që keni shkrojtur. O do i faktoni, o këto e këto pasoja. Të dashur miq, është bërë një betejë nga më të ashprat, nga më të vështirat, gjatë gjithë verës, çdo ditë për të mbrojtur votën. Çdo ditë janë paraqitur dokumentet më të pakundërshtueshme para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, që faktonin dhunimin e votës. Edi Rama përdori dhjetëra e dhjetëra milionë euro, përdori të gjitha lidhjet e tij, të gjitha lobimet e tij të ndryshonte raportin, të mos botohej raporti. Raporti u vonua si kurrë ndonjëherë, një muaj e gjysëm. Ndërhyrje nga më të fuqishmet. Mogherinëra stër Mogherinera e të tjerë, e të tjerë. Por raporti u publikua. Raporti doli.

Raporti tregoi se zgjedhjet kanë qenë farsë elektorale. Do t’ju jap vetëm një fjali. Në Këshillin e Europës, raporti i Këshillit të Europës, deputetët e Këshillit të Europës ishte në Shqipëri, u redaktua, u redaktua, u redaktua, por ai që e redaktoi, e bëri këtë, përsëri njeri me karakter, ai në fund bën një rekomandim: Në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Domethënë, në Shqipëri s’kishte zgjedhje midis partive, po shteti ishte në një anë dhe pastaj partitë e tjera në anën tjetër.

Pra, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje njëlloj siç zhvilloheshin në diktaturë autoritare, se në totalitar nuk ka parti, ku shteti përdor gjithçka kundra atyre partive që dalin në fushë në një farsë elektorale. Ose, një citim tjetër, në Parlamentin Europian, në tempullin e demokracisë, një nga deputetët më të shquar të atij parlamenti, do të deklaronte se në Shqipëri, krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit,” tha Berisha