Berisha pas protestës:“Ishte marshi i fitores, korrëm një fitore sot! Mesazh i madh për miqtë tanë në Europë dhe botë”

Sali Berisha ka folur nga selia blu në mbyllje të protestës së PD para Kryeministrisë, duke e konsideruar tubimin një fitore të opozitës.

Berisha theksoi se përmes kësaj proteste i është dërguar një mesazh mesazh i madh miqve të Shqipërisë në Europë dhe në botë.

“Heronj të vërtetë jeni! Tirana në tërë ekzistencën e saj nuk ka njohur një marshim triumfi si marshi juaj sot. Kjo datë, 28 shkurti do gdhendet me germa të arta në historinë e kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër narkoshtetit. Për tre orë, marshi juaj ishte marshi i fitores, ishte marshi i shqiptarëve, i dinjitetit, i guximit. Ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju u dërguat miqve tanë në Europë dhe në botë. I kallët tmerrin dhe datën narkodiktatorit Edi Rama”, tha Berisha.

“Miq, korrëm një fitore tjetër sot. Arritëm një rekord të ri në protestën tonë, çka do të thotë asgjë nuk na ndal ne pa e hedhur Edi Ramën aty ku e meriton, në koshin e plehrave të historisë. Dënoj me forcën më të madhe dhunën jashtë çdo lloj shkaku të përdorur ndaj protestuesve me urdhër të Edi Ramës. E patë dhe vetë, në një kohë kur ne po rrinim të qetë, topat e ujit i drejtoi drejt Sali Berishës, por i them se je i pashpresë o budalla”, përfundoi kryedemokrati Sali Berisha.