Berisha: Më 20 shkurt do të përmbushim misionin tonë

Lideri demokrat, Sali Berisha tha se protestat e opozitës ia kanë shpëtuar faqen kombit. Gjatë fjalës së tij në takimin me demokratët e Sukthit, Berisha u shpreh se më 20 shkurt opozita do të përmbush misionin e saj.

Ai theksoi se shqiptarët presin nga demokratët të përmbushin misionin e tyre. Ai ftoj qytetarët t’i bashkohen protestës kombëtare të opozitës, e cila do të mbahet më 20 shkurt.

Sali Berisha: Të dashur miq, protestat tuaja gjatë javëve të fundit kanë qenë protestat më të rëndësishme që kemi bërë ndonjëherë. Në qoftë se ka pasur protesta për t’i shpëtuar faqen këtij kombi, në qoftë se ka pasur protesta ndonjëherë për të mbrojtur dinjitetin e këtij kombi, kanë qenë protestat që ne bëmë javët e fundit. Dhe ua them këtu, janë përcjellë me admirimin dhe dashamirësinë më të madhe, më të jashtëzakonshme.

Pra, e drejta është me ne. Shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që janë presin nga demokratët të përmbushin misionin e tyre. Presin nga opozitarët të përmbushin misionin e tyre.
Por edhe njerëzit e lirë në mbarë botën, për të cilët qeveri legjitime nuk ka pa votë të lirë, për të cilët qeveria legjitime nuk ka kur mbron korrupsionin, janë me ne dhe presin fitoren tonë. Ndaj dhe u ftoj të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë misionin tonë, duke pasur vetëdijen e plotë se është misioni më i rëndësishëm i jetës tonë. Se është misioni i shpëtimit të Shqipërisë.