Berisha bën thirrje për pjesëmarrje në protestë: Opozita të vijojë aksionin, jo bojkot të Parlamentit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, foli për aksionin opozitar dhe qëndrimin që duhet të mbajë opozita, duke u shprehur kundër bojkotit të Parlamentit.

Sipas Berishës, bojkoti do të ishte një avantazh për kryeministrin Edi Rama ndërsa u shpreh se , pavarësisht kushteve të vështira në Parlament, opozita duhet t’i japë përgjigjet më të forta Ramës dhe të vijojë përpjekjet për largimin e tij dhe përmbysjen e qeverisë.

“Por sot më shumë se kurrë, lipset që PD, forcë kryesore politike opozitare, të ndërmarrë të gjithë përpjekjet e saj për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, për përmbysjen e këtij regjimi. Koha fton sot çdo demokrate e demokrat, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim”, u shpreh Berisha.

Ai tha se mbështetja e protestës qytetare është një detyrë madhore e Partisë Demokratike, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së që t’i bashkohen protestës që zhvillohet çdo ditë.

“Ndaj dhe njëherë, mbështetja e kësaj proteste është detyrë madhore e PD. Anëtarët, mbështetësit e saj, me qindra dhe mijëra, janë pjesëmarrës në këtë protestë. Dhe unë dhe të gjithë së bashku u njohim atyre një meritë shumë të madhe. Ndaj dhe kjo mbledhje është një apel, një kushtrim për secilin prej nesh të shkojmë tek qytetarët. Të shkojmë tek anëtarët tanë. Të shkojmë tek mbështetësit tanë. Dhe ju të gjithë pa përjashtim, përveçse dy-tre veta që mund të bëhen problem për simbolikën qytetare, të gjithë të tjerët së bashku me zgjedhësit tuaj, mbështetësit tuaj, anëtarët tuaj, duhet të jeni në atë protestë”, tha ai.