Bënin ‘pazare me vdekjen’, kush janë mjekët që dyshohet se shisnin medikamentet e të sëmurëve me kancer tek privati (EMRAT)

Detaje të reja dalin nga caktimi i masave të sigurisë ndaj 8 mjekëve të Onkologjikut, të cilët akuzohen se nuk iu dhanë qytetarëve shërbimin e nevojshëm në QSUT, por i orientuan tek privati.

Gjyqtarja Armela Hansantari ka vendosur masat e sigurimit ndaj tetë personave, ndër ta mjekë në Spitalin Onkologjik të QSUT, kirurgë, ish-zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e spitalit dhe farmacistë e punonjës.

Në hetime u përdorën blerje të stimuluara ilaçesh, prej nga ku është zbuluar se si mjekët i dërgonin pacientët në spitale private dhe nuk i kuronin në shtetëror. Burimet e Prokurorisë thanë se gjatë hetimit akuza bleu citostatike (kimioterapi) për të provuar dyshimet se ilaçet spitalore shiteshin tek spitalet private.

Masat e sigurisë u vendosën ndaj Edmond Gashit (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), Emiljano Lelës (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), Alketa Ymerit (Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), Brikena Qirjazit (Zv/Drejtoreshe ne QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik), Halil Gashit dhe Florian Markut.

Për Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi ajo ka qenë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.

“Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror ‘Nënë Tereza’ si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vetë nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre. Gjithashtu në spitalin ‘Nënë Tereza’ ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendosej në dhomën adapte” informon prokuroria e Tiranës.