Basha i heq vulën Bardhit, ia jep Indrit Sefës (PËRPLASJA)

Deputetët e Partisë Demokratike Bledion Nallbati dhe Lefter Gështenja janë shprehur për mediat se 276 anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike janë kundër zgjedhjeve për kryetar të ri.

Ata kanë njoftuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të partisë për të ushtruar kompetencat që i njeh statuti.

Pas kësaj kërkese, Bardhi ka deklaruar se do të mbledhë Këshillin Kombëtar, ku pjesë e diskutimeve pritet të jetë dhe anullimi i zgjedhjeve.

Por Basha duket se nuk do pengesa në rrugën e tij të rikthimit, pasi konsiderohet si favoriti në garën përballë me Gjergj Hanin, ndaj edhe mblodhi Kryesinë për të firmosur shkarkimin e Bardhit nga detyra si Sekretar i Përgjishëm. Por nga entuziazmi për shkarkimin e tij, Oriola Pampuri firmosi dy herë, me stilolaps dhe me shkrim të ndryshim, duke ngritur dyshime lidhur me vlerën e fletës së firmosur.

Ndërsa Indrit Sefa e nisi “detyrën e re” duke mbajtur një konferencë për media, gjatë së cilës u shpreh se pjesa tjetër e PD (ata që nuk e mbështesin Bashën), janë kthyer në një patericë për pushtetin e kryeministrit Edi Rama.

Megjithatë zhvillimet e fundit duket se nuk kanë ndryshuar asgjë, pasi Bardhi edhe njëherë ka paralajmëruar se Këshilli Kombëtar do të mblidhet, me apo pa aprovimin e Bashës.

Ndërsa fraksionet e PD luftojnë mes tyre, deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana e Sali Berishës.

Ende ka kohë pasi zgjedhjet për kryetar të PD janë planifikuar të zhvillohen në datën 29 korrik.