Bark e të vjerlla, 50 persona përfundojnë në spital

BULQIZE- 50 persona në fshatin Gjoricë të Bulqizës i janë drejtuar qendrës shëndetësore të këtij fshati me shenja helmimi.

Personat në fjalë të cilët janë të moshave të ndryshme, kanë shfaqur simptoma të njëjta si të vjella e diarre.

Bëhet fjalë për të paktën 50 persona nga familje të ndryshme, që janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore Gjoricë.

Dyshimet e para janë se helmimi ka ardhur si rezultat i kontaminimit të ujit të pijshëm, i rrjetit të ujësjellësit, që furnizon gjithë Gjoricën, bëjnë me dije burime për “BalkanWeb”.

Ende nuk dihen shkaqet të cilat kanë sjellë ndotjen e ujit. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, ka marrë mostrat e ujit për t’ju bërë analizat, ku ka rezultuar se uji është i ndotur.

Po kështu, banorëve iu është kërkuar që të mos konsumojnë për momentin ujë nga rrjeti i ujësjellësit, derisa situata të marrë zgjidhje nga organet përgjegjëse.

Një ngjarje e tillë por akoma më e rëndë ka ndodhur para dy vitesh në Kruje. 600 persona u helmuan, e për këtë rast u mbajtën edhe protesta.

Në atë periudhë, helmimi masiv i rreth 600 qytetarëve të Krujës nga uji, mblodhi dhjetëra banorë para Bashkisë së qytetit. Qytetarët madje kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë, si dhe drejtorit të Ujësjellësit, pasi sipas tyre, ishin përgjegjësit kryesorë për situatën e krijuar.

Protesta erdhi pas rezultatit të analizave nga ISHP, nga të cilat rezultoi se në ujë kishte përmbajtje amoniaku si dhe bakterin enterokok.