Rruga Ymer Alushi pranë Krastës së Elbasanit është lënë prej 20-të vitesh në harresë të plotë nga pushteti vendor.
Rrugët janë krejtësisht të amortizuara, zor se mund të kalohet dhe në periudhën e reshjeve shumica e banesave përmbyten. Ndonëse thirrjet e banorëve kanë qenë të shumta drejtuar Bashkisë Elbasan deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Bashkia kujtohet vetëm në kohën zgjedhjesh duke hedhur inerte e duke premtuar për zgjidhje të situatës”- shprehet një banor.
Një tjetër shqetësim mbetet mungesa e kanalizimeve ku deri më sot banesat janë ende me gropa septike. Përmes kësaj rruge kalon Përroi i Manasderës dhe vetëm një urë e amortizuar bën të mundur kalimin e fëmijëve të cilët shkojnë në shkollë. Ky përrua kthehet ne kërcënim për banorët e kësaj rruge pasi në kohë rreshjesh del nga shtrati duke përmbytur banesat.
Kjo zonë ndodhet vetëm 1.5 km larg qendrës së qytetit të Elbasanit, por në sytë e pushtetit vendor është inekzistente duke lënë kështu banorët në mëshirë të fatit.
