Banorët e 4 fshatrave në protestë, bllokojnë rrugën: Nuk ka investim prej 15 vitesh, s’kemi si dërgojmë fëmijët në shkollë

TIRANË- Banorët e fshatrave, Zall Herr, Pinor, Herr dhe Priskë e Vogël dolën ditën e sotme në protestë, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Sipas tyre, prej 15 vitesh nuk është vënë dorë në rehabilitimin e rrugës e ndaj kërkojnë asfaltimin e saj. Rruga frekuentohet nga mjete të tonazhit të rëndë dhe e kanë shkatërruar plotësisht rrugën, duke prekur rreth 350 familje që banojnë në atë zonë.

Protestuesit nuk kanë rrugë as për të dërguar fëmijët në shkollë. Ata thonë se protestat do t’i përshkallëzojnë nëse s’merren masa, madje paralajmërojnë se nesër do të dalin në protestë edhe me fëmijët e tyre.

“Asnjë investim për rrugën prej 15 vitesh. Nuk i dërgojmë dot fëmijët në shkollë se nuk kemi rrugë. Ne kërkojmë vetëm rrugë dhe ujë. Kaq duam nga shteti’- thonë banorët.