Babë e bir rrezikuan të mbyteshin pasi i zuri stuhia në liqen, shpëtohen nga policia kufitare në Pogradec

Reagim i shpejtë dhe profesional nga Policia Kufitare në Korçë: dy shtetas, babë e bir, janë shpëtuar pasi rrezikoheshin të mbyteshin në liqen për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike.

Sipas njoftimit zyrtar, në sallën operative të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë mbërriti një telefonatë për ndihmë nga dy qytetarë që ndodheshin me varkë në liqen për peshkim dhe nuk mund të ktheheshin në breg për shkak të motit të keq.

Menjëherë u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, të cilat, me mjetin lundrues “Skaf”, lokalizuan varkën rreth 1.5 milje larg bregut dhe siguruan kthimin e tyre të sigurt në mol. Fatmirësisht, të dy shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Babai dhe djali falënderuan efektivët për ndërhyrjen e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar.