Babai tenton të vrasë djalin, parandalohet krimi në familje në Kurbin

Babai qëllon me armë zjarri djalin e tij pas një zënke familjare, por fatmirësisht ndërhyrja e shpejtë e policisë ka shmangur tragjedinë. Ngjarja e rëndë është regjistruar ditën e sotme në fshatin Ferr-Shkopet, ku policia njofton se ishte lajmëruar për një zënkë në familje, e cila kishte përshkallëzuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Preng Gega, pas një koflikti me të birin, e ka qëlluar atë me pistoletë, por fatmirësisht pa i shkaktuar lëndime. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që është vënë në ndjekje për disa orë të autorit të ngjarjes, i cili më pas është arrestuar nga blutë e Kurbinit.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në familje. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas që qëlloi me armë zjarri në drejtim të djalit të tij, pa i shkaktuar lëndime. Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje në banesë. Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit së në fshatin Ferr-Shkopet, Kurbin, kishte një konflikt në familje dhe se babai kishte qëlluar me armë në drejtim të djalit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Falë veprimeve shpejta hetimore, pas disa orësh ndjekjeje u bë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit P. G., banues në Ferr-Shkopet, Kurbin, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Ky shtetas, pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me një armë zjarri në drejtim të djalit të tij, shtetasit L. G., banues në Ferr-Shkopet, Kurbin, pa i shkaktuar lëndime. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.