Pas bllokimit të plotë të aksit Librazhd–Prrenjas, dhjetëra drejtues mjetesh po detyrohen të përdorin një aks alternativ malor, i cili nis nga fshati Spathar, vijon në Dardhë dhe përfundon në Hotolisht, dhe anasjelltas.
Rruga alternative është rreth 15 kilometra e gjatë, por përshkueshmëria e saj kërkon afro dy orë, për shkak të terrenit të vështirë dhe bllokimeve të shpeshta të mjeteve. Segmenti karakterizohet nga kthesa të forta, pjerrësi të theksuara dhe mungesë infrastrukture të përshtatshme për fluks të lartë qarkullimi.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se, ndonëse rruga është e rrezikshme, nuk kanë zgjidhje tjetër për të lëvizur mes qyteteve. Mes udhëtarëve ka qytetarë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, emigrantë, persona që kanë nevojë për shërbime spitalore, si dhe turistë.
Ky aks përkon pjesërisht me gjurmët e rrugës antike romake Via Egnatia, një arterie mbi 2 mijë vjeçare që historikisht ka lidhur rajonin. Megjithatë, sipas Autoriteti Rrugor Shqiptar, segmenti nuk rekomandohet për qarkullim për shkak të rrezikut të lartë.













