Autobusi me targa kosovare përplas për vdekje biçikletistin te ‘Rruga e Kombit’

Rubik- Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Rrugën e Kombit në afërsi të Rubikut.

Një autobus me targa të Kosovës ka përplasur për vdekje N. P. 72 vjeç që lëvizte me biçikletë.

Mirditë/Informacion paraprak

Rreth orës 09:30, në aksin rrugor “Rubik-Fang”, autobusi me drejtues shtetasin E. R., 60 vjeç, banues në Kosovë, me drejtim lëvizjeje “Morinë-Durrës”, ka përplasur një biçikletë me të cilën lëvizte shtetasi N. P., 72 vjeç, banues në fshatin Fang, Rubik. Si pasojë e përplasjes, shtetasi N. P. ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa nga autobusi nuk është dëmtuar asnjë pasagjer.

Drejtuesi i autobusit, shtetasi E. R. është shoqëruar në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të Njësisë për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, dhe grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti.