SHKODËR, 28 TETOR 2025
Pas atentatit me tritol ndaj inspektorit të Tatimeve, Enea Busukja, janë zbuluar zhvillime të reja që po ndihmojnë në hetimin e ngjarjes. Një automjet i djegur është gjetur mesditën e sotme në fshatin Postribë, në periferi të Shkodrës, dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e shpërthimit.
Sipas burimeve nga policia, automjeti është gjetur i shkrumbuar pothuajse plotësisht, ndërsa ekspertët e kriminalistikës po kryejnë ekzaminimet për të përcaktuar nëse ai ka lidhje me atentatin e mëngjesit të sotëm, ku mbeti i plagosur Enea Busukja, 38 vjeç.
Punonjësi i Tatimeve ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po ndjek disa pista, përfshirë atë të lidhjes së mundshme të sulmit me detyrën e tij.
Policia vijon kërkimet në zonën e Postribës dhe po analizon pamjet nga kamerat e sigurisë për të identifikuar personat që mund të kenë djegur automjetin pas atentatit.













