Asllani projektohet si titullar me Interin në duelin ndaj Bolognës

Kristjan Asllani ka një shans të mirë që ta nisë si titullar sfidën e Interit kundër Bolognës në Kupën e Italisë, e cila do të zhvillohet të mërkurën dhe do të jetë e vlefshme për 1/8 e finaleve. Megjithatë, duke u marrë parasysh që skuadra zikaltër është e fokusuar kryesisht në kampionat, pritet që disa titullarë të marrin një pushim.

Sipas informacioneve nga “La Gazzetta dello Sport”, Asllani, bashkë me Frattesi, pritet të fillojnë ndeshjen, duke lënë jashtë dyshen kryesore, Mkhitaryan-Calhanoglu, për një periudhë pushimi. Kjo është një strategji e zakonshme menaxhimi për të kujdesur për energjitë e lojtarëve, ndërkohë që i jep mundësinë Asllanit për t’i treguar aftësitë e tij nga fillimi.

Me një rotacion të moderuar, Asllani ka mundësinë të theksojë vlerat e tij në fushë. Mesfushori shqiptar është aktivizuar në disa ndeshje këtë sezon, duke bërë paraqitje pozitive për të lënë përshtypje të mira dhe te trajneri Inzaghi.