Artemis II largohet nga orbita e Tokës

Për herë të parë pas më shumë se pesë dekadash, astronautë të NASA janë nisur drejt Hënës me anijen kozmike Orion, në kuadër të misionit Artemis II.

Pas një manovre të suksesshme, ekuipazhi ka dalë nga orbita e Tokës dhe ka hyrë në trajektoren që e çon drejt Hënës, duke shënuar një moment historik që nga koha e Apollo 17 në vitin 1972.

Zyrtarë të NASA-s theksuan se ky është fluturimi i parë me ekuipazh për Orionin, ndërsa misioni po shërben për mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për eksplorimet e ardhshme hapësinore.

Në bord ndodhen astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen, të cilët do të kryejnë një fluturim rreth Hënës dhe vëzhgime të detajuara të sipërfaqes së saj.

Misioni pritet të zgjasë rreth 10 ditë dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm në programin Artemis, që synon rikthimin e njerëzve në Hënë dhe përgatitjen për misione të ardhshme drejt Marsit.

Pas përfundimit të udhëtimit, kapsula pritet të rikthehet në Tokë, duke u ulur në Oqeanin Paqësor pranë brigjeve të Kalifornisë.