Arrestohet autori i vrasjes së 36-vjeçarit në Vlorë!

Pas 5 orësh në arrati, Bertil Alliaj, autori i dyshuar si vrasësi i djalit të xhaxhit të tij Dalan Alliaj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Gjorm të Vlorës, ka rënë në prangat e policisë. Bertil Alliaj u arrestua në zonën malore të Gjormit, vend ku ishte fshehur pas ngjarjes, pas një operacioni të shpejtë policor.

36-vjeçari Dalan Alliaj, u vra mbrëmjen e djeshme me 5 plumba nga kushëriri i tij. Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur rreth orës 20:25, ndërsa kanë qenë familjarët që kanë gjetur trupin e pajetë të 36-vjeçarit. Ai është dërguar dhe në spital, por pa shenja jete.

Autori Bertil Alliaj rezulton i dënuar më parë në mungesë për masakrën e Çoles në vitin 2015 ku 3 të rinj mbetën të vrarë në një kazino.

Dalan Alliaj, rezulton administrator i kompanisë Allidagu në Fier, me aktivitet në fushën e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve, mbarështimi i kafshëve në fermat agroblegtorale të mëdha, tregti kafshësh të gjalla si dhe servis e tregti automjetesh.

Në polici janë shoqëruar 5 persona lidhur me ngjarjen, ndërsa ende nuk ka një pistë të qartë për konfliktet e mundshme mes autorit dhe viktimës.