Arrestohet Artan Grubi, momenti i prangosjes së zv. kryeministrit shqiptar të RMV-së!

– Ish-zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, është arrestuar mëngjesin e sotëm pasi është paraqitur vullnetarisht në pikën kufitare Bllacë, në hyrje të vendit nga Kosova.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, ndaj tij ishte në fuqi masa “arresto”. Ai është paraqitur rreth orës 06:10 dhe është privuar menjëherë nga liria.

Grubi është shoqëruar në ambientet e paraburgimit për vijimin e procedurave ligjore. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi fazën aktuale të hetimit.

Hetimet

Ish-zyrtari i lartë është përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për:

keqpërdorim të detyrës;

korrupsion;

shkelje të procedurave të prokurimit publik.

Çështja lidhet me funksionimin dhe kontratat e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Sipas organeve të ndjekjes, disa vendime dhe kontrata dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare në buxhet, të vlerësuara në rreth 500 milionë denarë (mbi 8 milionë euro).

Prokuroria pretendon se, përmes procedurave të kontestuara, janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.

Hetimet vijojnë.