Nga hetimet paraprake rezultoi se bëhet fjalë për një grup kriminal me veprimtari të vazhdueshme, me strukturë hierarkike dhe me role të dallueshme mes anëtarëve të tij, i cili merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe cannabis, në zona të ndryshme të Athinës.
Për sa i përket metodologjisë së funksionimit, anëtarët e organizatës komunikonin kryesisht nëpërmjet aplikacioneve online (Viber), duke shmangur përmendjen e emrave në biseda për të vështirësuar identifikimin e tyre, ndërkohë që përdornin emra të koduar për lëndët narkotike që trafikonin. Nga hetimet rezultoi se 43-vjeçari Arjel Tafilaj nga Selenica, ishte drejtuesi, i cili merrte çdo vendim lidhur me grupin, ndërsa ishte i informuar përpara se të merrej ndonjë veprim nga anëtarët e tjerë.
31-vjeçari Ledjo Harizi nga Luftinja e Memaliajt, si një anëtar kyç i grupit, zëvendësoi 43-vjeçarin Arjel Tafilaj aty ku ishte e nevojshme, duke mbajtur një biznes legjitim që grupi e përdorte për mbledhje dhe vendimmarrje. 55-vjeçari Viktor Leme nga Fier Shegani i Lushnjes, kryente shpërndarjen e drogës dhe komunikimin me “klientët”, duke ndjekur me besnikëri udhëzimet e drejtuesve të organizatës, ndërsa 29-vjeçari grek Spyridon Antoniou furnizohej nga grupi i mësipërm dhe shpërndante sasi kokaine dhe cannabisi.
Gjatë operacionit policor, Arjel Tafilaj u arrestua teksa drejtonte automjetin tip “Smart” me targa IYP-2976, ndërsa me pas i’u sekuestrua edhe fuoristrada tip “Porsche Caynne” me targa shqiptare AB 766 JI që përdorej për transportin e drogës. Gjatë kontrollit personal i’u gjetën 150 euro dhe 1 celular ndërsa gjatë kontrollit të banesës i’u gjetën 1770 euro. Gjatë kontrollit personal të të dashurës së tij, shtetases shqiptare R. N, u gjetën 2250 euro, të cilat deklaroi se i’a kishte lënë në ruajtje Tafilaj.
Ledjo Harizi u kap nga policia në drejtimin e automjetit me targa KNH-6034. Gjatë kontrollit personal i’u gjet 1 celular. Gjatë kontrollit në biznesin e tij u gjetën 4 celularë dhe 145 euro, ndërsa në banesë iu gjetën 3750 euro, 52 dollarë, 500 lira suedeze, 1600 lek shqiptare, 1 pistoletë me mulli tip “S&WCTG” me 6 fishekë 38 mm, 1 pistoletë tip “COURT 9 COUPS UNIQUE”, 1 pistoletë me ajër tip “TSS”, 1 pistoletë replica me një krehër, 2 fishekë 9 mm, 48 fishekë 32 mm, 1 krehër me 8 fishekë 0.32, 1 thikë, 2 celularë, 2 karta SIM dhe automjeti “Opel Astra” me targa BKX-5340 që shërbente për transportin e drogës.
Viktor Leme u kap nga policia në drejtimin e mjetit “Fiat Panda” me targa ZNE-6901 dhe gjatë kontrollit personal i’u gjetën 350 euro dhe 1 celular. Gjatë kontrollit të banesës i’u gjetën rreth 71 gram kokainë, rreth 33 gram cannabis, 1 peshore elektronike dhe 150 euro.
Policia greke ushtroi kontroll edhe në banesën e shtetasit Ervin Lavane ku nuk e gjet asgjë e paligjshme. Por jashtë banesës së tij u gjet i parkuar automjeti tip “Audi A8” me targa shqiptare AB 227 MZ në pronësi të Ledjo Harizi, i cili u sekuestrua si produkt i përfituar nga veprimtaria e paligjshme.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit grek, u gjetën dhe sekuestruan 237 gram cannabis dhe sende të tjera.
Nga hetimet e policisë greke dyshohet se 3 shtetasit shqiptarë kanë bashkëpunuar në mbi 300 raste shitjeje të lëndëve narkotike.
Gjatë caktimit të masës së sigurisë, 3 shtetasit shqiptarë janë lënë në “Arrest në burg” duke u transferuar në burgun e Koridhalos, ndërsa shtetasi grek u la në masën “detyrim paraqitje” dhe “garanci pasurore”.
