Arrestimi i kameramanit, Vjosa Osmani: Gazetarët m’i përndoqën dhe rrezikuan vajzat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas arrestimit të një kameramani, duke deklaruar se gazetarët kanë rrezikuar sigurinë e vajzave të saj të mitura. Ajo ka denoncuar publikimin e vendndodhjes, klasave dhe incizimeve të paautorizuara të tyre gjatë kohës që frekuentonin shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Osmani ka konsideruar se gazetarët asnjëherë nuk kanë raportuar për faktin se shefja e shtetit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë. Ajo ka shtuar se, ashtu sikurse edhe nxënësit e tjerë, edhe vajzat e saj janë përballur me probleme: ndërprerje të ujit, rrymës e ngrohjes, mungesë pastrimi dhe mungesë sigurie në shkollë.

“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, përkundër moshës së tyre të mitur […] Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëvë të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka theksuar se prania e policisë për mbrojtjen e vajzave të saj është ligjore sepse, sipas organeve të sigurisë, ato hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Ajo ka akuzuar gazetarët duke vlerësuar se “një pjesë e rëndësishme e këtij rreziku” buron nga veprimet e “disa prej këtyre të ashtuquajtur gazetarë” që operojnë në Kosovë.