Tiranë, 21 Tetor 2025 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar SPAK-un të nisë hetimet ndaj kryebashkiakes së Lushnjës, Eriselda Sefa, pas ankimimit të një qytetari për kallëzim në lidhje me falsifikim dokumentash dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Nga data 30 shtator 2025, kryebashkiakja socialiste ndodhet nën hetim mbi bazën e një kallëzimi të ngritur nga shtetasi me inicialet A.H., i cili pretendon shkelje në procedurën e dhënies me qira të një prone publike në qendër të Lushnjës. Sipas tij, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga Sefa dhe Këshilli Bashkiak i qytetit.
Kallëzimi përfshin pretendime për falsifikime në dokumentacionin zyrtar, procesverbale dëgjimesh publike dhe projektin për miratimin e dhënies me qira të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.
Ndërsa SPAK më parë kishte pushuar çështjen, duke marrë miratimin edhe të Gjykatës së Shkallës së Parë, qytetari A.H. ka kërkuar apelimin e vendimit, duke detyruar Gjykatën e Apelit të ndryshojë vendimin dhe të urdhërojë nisjen e hetimeve.
Njoftimi i Gjykatës:
Më 30 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në përbërje të gjyqtares Miliana Muça, shpalli vendimin për ankimin e A.H., duke ndryshuar vendimin e mëparshëm dhe duke urdhëruar SPAK-un të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime.













