Apeli i GJKKO çon në Kushtetuese ligjin e paraburgimit: Nuk mund të mbahet dikush në burg për fajin e një abuzuesi

Gjykata e Apelit e GJKKO i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar një pjesë të nenit 265 të Kodit të Procedurës Penale, që lejon pezullimin kolektiv të afateve të paraburgimit.

Sipas Apelit, sot mjafton që një i pandehur të vonojë procesin që të mbahen në burg edhe të gjithë të tjerët, duke shkelur Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Nëse Kushtetuesja e pranon kërkesën, paraburgimi do të lidhet vetëm me përgjegjësinë individuale dhe jo më me fajin e të tjerëve në të njëjtën dosje.

Paraburgimi është një ndër çështjet më të debatuara muajt e fundit në vend, kjo edhe për shkak të numrit të lartë të paraburgosurve në Shqipëri.

Së fundmi, Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e një pjese të nenit 265 të Kodit të Procedurës Penale, i cili lidhet me pezullimin e afateve të paraburgimit.

Në thelb, apeli i GJKKO vlerëson se ky nen, në formën aktuale, shkel të drejtat kushtetuese të të pandehurve, pasi nuk parashikon që pezullimi i afateve të paraburgimit të zbatohet në mënyrë të personalizuar për secilin të pandehur, por në praktikë po ndikon kolektivisht edhe tek bashkë-të-pandehurit.

Në një rast hipotetik, në një dosje me 10 të pandehur të paraburgosur, sipas ligjit aktual mjafton që një nga të pandehurit ose avokati i tij të vonojë procesin gjyqësor që afatet e paraburgimit të pezullohen për të gjithë të përfshirët në çështje, edhe për ata që nuk kanë kryer asnjë veprim që pengon gjykimin.

GJKKO argumenton se kjo situatë bie ndesh me nenet 17, 27 dhe 28 të Kushtetutës, si dhe me nenin 5 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë të drejtën për liri personale dhe ndalojnë ndëshkimin pa përgjegjësi individuale.

Ky ndryshim i kërkuar nga apeli i GJKKO, në pamje të parë, duket se përputhet edhe me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila ka sanksionuar se: “Shteti nuk mund të justifikojë ndalimin e një personi me sjelljen e të tjerëve.”

Nëse Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë GJKKO-s, atëherë pezullimi i afateve e paraburgimit do të duhet të zbatohet vetëm ndaj atij të pandehuri që ka shkaktuar vonesën dhe jo ndaj gjithë personave të përfshirë në të njëjtën dosje penale.

Vendimi i Kushtetueses, nëse pranohet kërkesa e Apelit të GJKKO-s, pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në dosjet e mëdha të SPAK-ut.