Apeli i 70-vjeçares që kujdeset e vetme për 3 të sëmurë mendorë! S’kanë kujdestari, KMCAP dhe psikiatri ia hedhin fajin njëri-tjetrit

Një 70-vjeçare nga fshati Darëzezë, në Fier, i është drejtuar emisionit Fiks Fare, pasi prej vitesh përballet e vetme me një barrë të rëndë familjare. Kujdesin për dy vëllezërit dhe motrën e saj, të tre me probleme të shëndetit mendor.

Më i madhi është 72 vjeç, ndërsa motra 56. Sipas saj, motra ka pasur depresion që me kalimin e kohës është rënduar, ndërsa dy vëllezërit kanë lindur me probleme mendore. 70 vjeçarja bashkë me bashkëshortin jetojnë mes frikës dhe pamundësisë për t’i menaxhuar, sidomos kur mungon mjekimi. Ajo tregon mes lotësh se vonesat në recetat që dalin nga sistemi i bëjnë pacientët agresivë, duke rrëfyer se disa herë ka shpëtuar nga sëpata dhe sende të forta që ata hedhin në momente krize.

Ndërsa e motra nga mungesa e ilaçeve lëndon veten. “ Nuk ua dal dot sëpata, thika sende të mprehta i kam fshehur, se në vonesë të ilacëve këta kanë kriza. Une dhe bashkëshorti im kujdesemi për ta, por ai kemp që marrin me këto çmime nuk ia dalim dot” shprehet e moshuara me lot në sy. Ndërkohë që tregon se kur largohet prej tyre i mbyll në shtëpi me kyç pasi ata edhe largohen.

Të tre janë vlerësuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) Epror me diagnozën “prapambetje mendore e moderuar”, niveli 2, pa rekomandim për ndihmës personal. Secili përfiton 10 mijë lekë të reja në muaj. Sipas dokumentacionit, ata konsiderohen të aftë për të menaxhuar veten.

Por përballë kamerës, reagimi i tyre i shpërqendruar dhe paaftësia për t’iu përgjigjur pyetjeve më bazike, ngriti pikëpyetje serioze mbi këtë vlerësim.

Gazetarët iu drejtuan mjekut të familjes, i cili nuk ndodhej në qendër shëndetësore në mesditë, ndërsa mbulon edhe dy fshatra të tjerë. Më pas, çështja u ngrit pranë KMCAP Epror, i cili sqaroi se vendimet bazohen në dokumentacionin e mjekut të familjes dhe psikiatrit, të cilët nuk kanë raportuar përkeqësim të gjendjes dhe nuk kanë rekomanduar ndihmës personal. Gjithashtu, familja nuk e ka ankimuar vendimin brenda afatit 20-ditor.

Pas kësaj, gazetarët u rikthyen në Spitalin Rajonal të Fier, ku psikiatri deklaroi se vendimin për ndihmës personal e merr KMCAP Epror, duke e kaluar përgjegjësinë tek komisioni.

Në reagimin zyrtar për Fiks Fare, drejtoria e spitalit u shpreh e gatshme për rivlerësim të rastit përmes një konsulte të re psikiatrike, madje edhe jashtë rrethit nëse është e nevojshme, duke garantuar transportin dhe shoqërimin e pacientëve. Po ashtu, do të angazhohet një mjek tjetër për një opinion të dytë profesional dhe të paanshëm.