Ergys Muzhaqi, anetar i Keshillit Kombetar te PD ka shprehur zhgenjimin e thelle per situaten e krijuar ne PD se fundi. Ai ka bere nje koment te gjate disa ore para proteste duke mbajtur nje qendrim ndaj paleve qe kane krijuar kete situate ne partine demokratike.
“Qëllimisht kam qëndruar larg debateve e përplasjeve të kohëve të fundit në Partinë Demokratike. Jo se më mungojnë idetë apo statura për të mbajtur një qëndrim ekspresiv, por se jam ndier i bezdisur dhe madje i fyer që situata të tilla politike, frustrimi nga opozita e gjatë, presionet nga pushteti i gjatë, cedimi serioz në analizë dhe ndryshim të thellë pas goditjeve të njëpasnjëshme politike në 2013-17-19-21 …. në vend që të na ndihmonin të gjejmë mënyra më të mira e të përshtatshme për të performuar në harmoni me aspiratën europiane të brezit tonë, na u kthyen në një regres të lodhshëm. Sigurisht pastaj që kjo daulle këtë zhurmë do nxirrte: muhabete tip bishti i dhelprës, musteqet e Çelos, brava, muskuj, skuqje fytyrash e fryrje damarësh …
As që kam ndërmend të futem në një retorikë të tillë; edhe sikur të doja janë thënë e stërthënë të gjitha nga mjeshtrat e penës e fjalës deri tek ai më i vorfni që kur nuk ka çbën, luan derën i thonë një llafi. Por nuk kam se si të qëndroj i heshtur dhe mos ta shpreh zhgënjimin dhe shqetsimin e thellë që nuk ia kemi arritur dot të krijojmë një model komunikimi e politikëbërjeje, që nuk ka në epiqendër kultin e individit dhe goditjen deri në ADN të mendimit e mendimtarit ndryshe e, më keq akoma, prevalimin e interesave personale para atyre shoqërore e grupore.
Partia Demokratike është parti shtetformuese dhe shtetmbajtëse, dhe patjetër që si e tillë nuk mund të ketë perspektivë me modele negative, të dështuara apo që nuk sjellin freski vizionare të reflektuar në qeverisjen e nesërme. Situata aktuale është pikërisht antiteza e asaj që duhet të jemi, e atij modeli që do duhej ta kishim ndërtuar e vënë në funksionalitet tashmë.
Po kufizohem në vetëm dy elemente.
Së pari modeli i marrjes me forcë të së drejtës së pretenduar dhe me fabrikim të faktit të kryer përbën një precedent që rrezikon jo vetëm sigurinë e personave të përfshirë, pavarësisht statusit e pozicionit të tyre, por edhe vazhdimësinë funksionale të partisë sot apo shtetit nesër, sepse pa dyshim që do të ketë vazhdimisht grupe që me apo pa të drejtë do të pretendojnë të vendosin për çështje të kalibrit të tillë. Dhe pasojat zinxhir mund t’i imagjinojmë lehtë.
Së dyti në një situatë ku skeleti dhe shpirti i një partie që janë militantët dhe struktura, ngrihet dhe thyen njërën dorë me tjetrën, nxjerr sytë me gishtat e vet etj, nuk ka mundësi të gjenerojë mbështetje e të ngjallë shpresë në atë kategori njerëzish që për hir të moszgjatjes po e quaj elektorati gri. Pra humbje e garantuar e mbështetjes politike nga shtresa determinuese e votuesve. Pra vite të tjera në opozitë të sigurt pavarësisht formës që do të ketë forca politike pas përplasjes eventuale.
Dhe nuk po zgjatem më në këtë argument.
Në fund, por jo nga rëndësia, nuk mund të anashkaloj impaktin dhe gjendjen në demokratët e Elbasanit. Ajo që më vret më shumë këtu është se megjithëse nuk na mungojnë politikanë e intelektualë kalibri, nuk i shoh të luajnë rrolin e rregullatorit dhe stabilizuesit në një retorikë të tillë, por me sa duket janë pozicionuar në neglizhim të plotë të rreziqeve që përmenda, duke u bërë kështu e konfliktit, me oportunizëm apo pragmatizëm apo quajeni si të doni, por që si përfundim nuk ngjall shpresë e interes në atë shtresë të gjerë të qytetarisë që aspirojmë t’i shërbejmë e ta përfaqësojmë. Sigurisht që ky është një vendim politik por që nuk kufizohet në këtë rast vetëm me kosto personale.
Si anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike Elbasan dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Shqiptare distancohem nga çdo akt dhune eventuale të kujtdo individi ndaj kujtdo anëtari e simpatizanti të partisë ku aderoj, nesër me 8 Janar 2022 apo në vazhdimësi.
Thirrja ime e përgjithshme është që askush të mos guxojë të marrë përsipër një barrë të tillë aspak dinjitoze.
Thirrja ime për intekektualët me peshë, e patjetër për ju të Elbasanit, është që të luani rrolin që ju takon dhe të mos bëheni pjesë e përpjekjeve të dhunshme nëse do të ketë të tilla.
Thirrja ime ndaj pjesës tjetër të atyre demokratëve me zemër e traditë në Elbasan, që ndoshta të zhgënjyer për arsye mëse të kuptueshme, hezitojnë të afrohen për më shumë kontribut, është që të kenë parasysh se do të më kenë, jo vetëm politikisht, të gatshëm dhe në krah të tyre për të përballuar sfidat e kohës siç na ka hije e dobi.
Ergys Muzhaqi
Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Shqiptare
