Analizë: Gjeografia e lindjeve! Ja si paraqitet demografia e qyteteve në Shqipëri

Rënia e lindjeve gjatë viteve të fundit është e shpërndarë pothuajse në të gjitha qarqet, por me intensitete të ndryshme. Qarqet me tkurrjen më të fortë ndërmjet 2015 dhe 2025 janë Korça dhe Gjirokastra, ku lindjet kanë rënë përkatësisht me 57.3% dhe 56.4%.

Edhe Dibra dhe Fieri paraqesin ulje të fortë mbi 49%, ndërsa Elbasani ka humbur rreth 47% të lindjeve krahasuar me vitin 2015.

Në qarqet veriore dhe verilindore si Kukësi dhe Shkodra, rënia është e konsiderueshme, përkatësisht rreth 44% dhe 36%. Edhe Lezha dhe Vlora ndjekin të njëjtin trend, me tkurrje mbi 40%, duke treguar se fenomeni nuk është i përqendruar vetëm në zonat më të varfra apo më të izoluara, por është i shpërndarë në të gjithë territorin, edhe në qarqet me ekonomi më të zhvilluar.

Tirana mbetet qarku me numrin më të madh absolut të lindjeve, duke kaluar nga 9,767 në 2015 në 8,830 në 2025. Megjithatë, edhe kryeqyteti ka shënuar rënie, ndonëse shumë më të ulët, rreth 9.6%.

Kjo tregon se migrimi i brendshëm drejt Tiranës dhe përqendrimi i popullsisë në zonat urbane ka amortizuar pjesërisht rënien natyrore të lindjeve.

Durrësi shfaq një tjetër rast të veçantë, me rënie rreth 28.7%, më e ulët se mesatarja kombëtare, çka lidhet me zhvillimin ekonomik, urbanizimin dhe afërsinë me Tiranën.

Në tërësi, të dhënat konfirmojnë një ndryshim strukturor në dinamikën demografike të vendit, ku rënia e lindjeve po bëhet një fenomen i qëndrueshëm dhe i përhapur në të gjithë territorin, me ndërlikime të drejtpërdrejta për tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë.

Berati, lindjet përgjysmohen në një dekadë

Analiza e të dhënave pasqyron një realitet tronditës për Qarkun e Beratit, ku numri i lindjeve ka pësuar rënie të lirë prej më shumë se gjysmës brenda një dekade. Në vitin 2015, Berati numëronte 1,528 lindje, ndërsa projeksioni ose të dhënat për vitin 2025 tregojnë zbritje drastike në vetëm 729 lindje.

Ky ndryshim negativ prej 799 fëmijësh në një dekadë përkthehet në një tkurrje prej -52.3%, duke dëshmuar se baza e popullsisë së re po shkrihet me shpejtësi.

Shkaku kryesor i këtij përgjysmimi lidhet me faktin se popullsia riprodhuese e qytetit po emigron masivisht, duke lënë pas një vakum demografik, ku numri i vdekjeve rrezikon të tejkalojë atë të lindjeve, duke çuar në një rënie natyrore të popullsisë që vështirë se mund të rikuperohet pa politika të forta ndërhyrëse.

Dibra, 52.6% më pak lindje

Të dhënat për Qarkun e Dibrës konfirmojnë krizën demografike që ka përfshirë zonat rurale dhe periferike të Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i lindjeve në Dibër ka rënë nga 1,841 në vitin 2015 në vetëm 872 në vitin 2025, me një tkurrje prej -52.6%.

Brenda një dekade, numri i fëmijëve të lindur është pakësuar me më shumë se gjysmën. Shkaqet e këtij kolapsi demografik në Dibër lidhen ngushtë me izolimin gjeografik dhe mungesën e perspektivës ekonomike për të rinjtë.

Emigracioni masiv, si ai i jashtëm drejt Anglisë dhe vendeve të BE-së, ashtu edhe ai i brendshëm drejt zonave urbane si Tirana dhe Durrësi, ka zhveshur qarkun nga popullsia në moshë riprodhuese.

Edhe Durrësi, në krizën e bebeve

Gjatë dekadës së fundit, numri i lindjeve në Durrës ra me afro 29%, në vetëm 2,312 lindje në 2025 nga 3,243 në 2015. Durrësi ka një shkallë më të lartë të edukimit dhe punësimit të grave në krahasim me qarqet periferike, gjë që shpesh shoqërohet me vonesën e moshës për lindjen e fëmijës së parë.

Së fundmi, edhe pse Durrësi tërheq banorë nga rrethet e tjera, emigracioni i moshave të reja drejt Italisë dhe vendeve të tjera mbetet një faktor që gërryen bazën riprodhuese të qytetit.

Edhe në Elbasan përgjysmim

Analiza e të dhënave për Qarkun e Elbasanit pasqyron një situatë mjaft shqetësuese, ku brenda një dekade, numri i lindjeve pothuajse është përgjysmuar. Në vitin 2015, ky qark regjistronte 3,319 lindje, ndërsa të dhënat për vitin 2025 tregojnë rënie drastike në vetëm 1,759 lindje.

Kjo humbje neto prej 1,560 fëmijësh në vit përkthehet në një tkurrje prej -47.0%, duke e renditur Elbasanin ndër qarqet me rënien më të madhe numerike në shkallë vendi.

Shkaqet e këtij fenomeni në Elbasan janë të lidhura fort me lëvizjet demografike dhe pasigurinë ekonomike. Emigrimi masiv i të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Europian, si dhe zhvendosja e vazhdueshme e popullsisë në moshë pune drejt Tiranës për shkak të afërsisë gjeografike, ka shteruar forcën riprodhuese të qarkut.

Kjo situatë përkeqësohet nga rritja e moshës së martesës dhe tendenca e çifteve të reja për të pasur më pak fëmijë, të ndikuar nga kostot e larta të jetesës dhe vështirësitë në tregun e punës.

Fieri, me tkurrjen më të fortë në numër

Të dhënat për Qarkun e Fierit pasqyrojnë një rënie tejet shqetësuese të lindshmërisë, e cila në terma numerikë është më e madhja krahasuar me qarqet e tjera. Në vitin 2015, Fieri regjistronte 3,351 lindje, ndërsa të dhënat për vitin 2025 tregojnë një rënie drastike në vetëm 1,704 lindje, një ulje prej -49.1%.

Edhe pse Fieri është një qendër e rëndësishme bujqësore dhe industriale, ka pësuar një goditje të fortë nga emigracioni masiv i moshave të reja drejt vendeve europiane dhe Tiranës, duke sjellë si pasojë në një zbrazje të popullsisë riprodhuese. Ky ndryshim prej -49.1% tregon se rajoni po humbet me shpejtësi dinamikën e tij demografike, duke u kthyer në një qark që po plaket me ritme galopante.

Gjirokastra e plakur, me rënien më të madhe

Qarku i Gjirokastrës paraqet situatën më kritike demografike në krahasim me qarqet e tjera të analizuara, duke shënuar rënien më të thellë në përqindje të lindshmërisë. Në vitin 2015, ky qark regjistronte vetëm 690 lindje, një numër tashmë i ulët, i cili në vitin 2025 ka rënë në mënyrë drastike në vetëm 301 lindje.

Kjo humbje prej 389 fëmijësh më pak në vit përfaqëson një tkurrje tronditëse prej -56.4% brenda një dekade. Kjo rënie me më shumë se gjysmën e vëllimit të lindjeve është pasojë e një shkretimi demografik që ka goditur Jugun e vendit.

Shkaku kryesor është emigracioni masiv dhe i hershëm i moshave të reja drejt shtetit fqinj, Greqisë, por edhe drejt Tiranës, duke lënë pas një popullsi kryesisht të moshuar. Duke qenë se baza e moshës riprodhuese është zvogëluar në nivele minimale, numri i martesave dhe i krijimit të familjeve të reja ka pësuar rënie pashmangshmërisht.

Korça, në situatë alarmante

Analiza e të dhënave për Qarkun e Korçës pasqyron një krizë demografike tejet të thellë, ku rënia e lindshmërisë tejkalon mesataren e shumë qarqeve të tjera të mëdha. Në vitin 2015, Korça regjistronte një numër të konsiderueshëm prej 2,257 lindjesh në vit.

Megjithatë, brenda një dekade, ky numër ka zbritur në vetëm 963 lindje për vitin 2025. Kjo humbje masive prej 1,294 lindjesh më pak rezulton në një tkurrje drastike prej -57.3%, ku si shkak kryesor mbetet emigracioni i pandalshëm i të rinjve, jo vetëm drejt Greqisë fqinje, por gjithnjë e më shumë drejt Europës Qendrore dhe Veriore.

Largimi i moshës riprodhuese ka bërë që Korça të humbasë potencialin e saj biologjik për ripërtëritje. Pasojat e kësaj rënieje të lindjeve janë afatgjata dhe kërcënuese për stabilitetin e qarkut.

Goditja e parë ndihet në sistemin arsimor, pasi me rreth 1,300 fëmijë më pak në vit do të thotë dhjetëra shkolla të mbyllura dhe qindra vende pune më pak për personelin mësimor brenda një cikli të vetëm shkollor.

Ekonomia e Korçës, e njohur për agroturizmin dhe prodhimin artizanal, do të vuajë nga një mungesë akute e forcës punëtore të kualifikuar, duke e bërë rajonin më pak konkurrues.

Kukësi humb avantazhin e bebeve

Zhvillimet e dekadës së fundit në Qarkun e Kukësit dëshmojnë për një krizë të thellë demografike në veriun e vendit, ku rënia e lindjeve ka marrë përmasa shqetësuese. Në vitin 2015, Kukësi regjistronte 1,140 lindje, por kjo shifër ka zbritur në vetëm 636 lindje në vitin 2025.

Kjo humbje numerike prej 504 fëmijësh më pak në vit përkthehet në një tkurrje prej -44.2% brenda një dekade. Faktori kryesor që ka shkaktuar këtë rënie me gati 44% është emigracioni masiv i të rinjve, i cili në këtë qark është më i theksuar se kudo tjetër, veçanërisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të BE-së.

Largimi i popullsisë në moshë aktive dhe riprodhuese ka bërë që shumë zona të mbeten me një numër minimal çiftesh të reja. Kjo rënie po tregon një shkëputje të dhimbshme nga tradita e dikurshme e familjeve të mëdha kuksiane.

Lezha, në trendin e përgjysmimit

Për Qarkun e Lezhës vërehet rënie e ndjeshme e lindshmërisë gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2015, ky qark numëronte 1,615 lindje, ndërsa të dhënat për vitin 2025 tregojnë një zbritje në vetëm 907 lindje, me tkurrje prej -43.8%.

Lezha mbetet një nga qarqet me lëvizshmëri të lartë drejt shteteve të BE-së dhe drejt Tiranës, duke larguar pjesën më vitale dhe në moshë riprodhuese të popullsisë. Me largimin e vazhdueshëm të të rinjve, në qark mbeten më shumë mosha që nuk ndihmojnë në rritjen e numrit të lindjeve.

Shkodra, 36% më pak bebe në 10 vite

Shkodra, kryeqendra e Veriut, me traditë kulture dhe potenciale natyrore, u përball me rënien e lindjeve, por me një ritëm pak më të butë. Në vitin 2015, ky qark regjistronte 2,127 lindje, por kjo shifër ka zbritur në 1,362 lindje për vitin 2025, me një rënie prej -36.0% brenda një dekade.

Edhe pse kjo përqindje është më e ulët se në qarqe si Korça apo Gjirokastra, ajo mbetet një tregues i qartë i tkurrjes së popullsisë së re në një nga qendrat më të rëndësishme historike dhe kulturore të vendit.

Shkaqet e kësaj rënieje në Shkodër lidhen kryesisht me emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve drejt Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe me zhvendosjen e brendshme drejt Tiranës për mundësi më të mira karriere.

Ky largim i moshës riprodhuese ka reduktuar bazën biologjike për lindje të reja, ndërkohë që faktorët socio-ekonomikë kanë ndikuar që çiftet e mbetura të zgjedhin të kenë më pak fëmijë.

Tirana zgjerohet me banorë, po lindjet me rënie

Tirana pasqyron qëndrueshmëri më të lartë krahasuar me qarqet e tjera të vendit, megjithëse edhe kryeqyteti nuk i ka shpëtuar trendit rënës të lindshmërisë.

Në vitin 2015, Tirana regjistronte 9,767 lindje, ndërsa në vitin 2025 ky numër ka zbritur në 8,830, që përkthehet në një rënie prej -9.6% brenda një dekade. Kjo është përqindja më e ulët e rënies në të gjithë Shqipërinë, gjë që tregon se Tirana vazhdon të jetë motori demografik i vendit, kryesisht falë migrimit të brendshëm.

Por, edhe pse popullsia e kryeqytetit është rritur gjatë dekadës, kjo nuk është përkthyer në më shumë lindje. Si qendra kryesore ekonomike, Tirana përballet me koston më të lartë të jetesës dhe të banimit, faktorë këta që i shtyjnë çiftet e reja drejt planifikimit më të vonshëm të familjes ose kufizimit të numrit të fëmijëve.

Me rritjen e çmimit të banesave dhe qirave, tani gjithnjë e më shumë të rinj që vijnë nga qarqet e shfrytëzojnë Tiranën si një trampolinë për të emigruar.

Vlorës nuk i bëjnë punë as investimet dhe as turizmi

Qarku jugor i Vlorës po përballet gjithashtu me rënie të fortë demografike, edhe pse vitet e fundit, qeveria i ka përqendruar investimet në këtë qark dhe turizmi ka marrë hov. Në vitin 2015, Vlora regjistronte 1,713 lindje, por kjo shifër ka zbritur në vetëm 943 lindje për vitin 2025, me tkurrje 45.0%.

Përgjysmimi i lindshmërisë tregon se qarku po humbet me shpejtësi vitalitetin biologjik, duke ndjekur trendin negativ të rajoneve fqinje si Gjirokastra dhe Korça. Shkaqet e këtij kolapsi demografik në Vlorë lidhen ngushtë me lëvizjet masive migratore më të hershme.

Si një qytet me lidhje të forta me Italinë dhe Greqinë, Vlora ka humbur një pjesë të madhe të moshës riprodhuese që ka emigruar për një jetë më të mirë jashtë vendit.

Sektori i arsimit do të tkurret mbi 35% në 5 vitet në vijim

Përgjysmimi i lindjeve në shumicën e qarqeve të vendit tregon mënyrën se si do të ndryshojë sistemi arsimor në Shqipëri gjatë 10–20 viteve të ardhshme. Brenda një dekade, 2015–2025, vendi ka humbur 35% të brezit të ardhshëm të nxënësve.

Çdo brez që hyn në shkollë në 5 vitet në vijim do të jetë një e treta më pak se brezat që janë sot në bankat e shkollës. Efekti i kësaj rënieje nuk ndihet menjëherë në të gjitha nivelet e arsimit, sepse sistemi funksionon me vonesë kohore. Fëmijët që lindin sot hyjnë në klasë të parë pas gjashtë vitesh dhe përfundojnë gjimnazin pas rreth 18 vitesh.

Për këtë arsye, Shqipëria është në fazën fillestare të një procesi që do të thellohet gradualisht deri në mesin e viteve 2030 dhe do të ndihet plotësisht në gjimnaze rreth viteve 2035–2040. Me pak fjalë, tkurrja më e madhe e numrit të nxënësve sapo ka nisur.

Në të kaluarën, çdo brez nxënësish ishte rreth 28–32 mijë fëmijë, çka e mbante numrin total të nxënësve në sistemin parauniversitar rreth 360–400 mijë. Brezat e rinj janë vetëm rreth 21 mijë. Kur këta breza të vegjël të zëvendësojnë brezat aktualë, numri total i nxënësve mund të bjerë me rreth 120–140 mijë.

Praktikisht, sistemi mund të zbresë nga afro 380 mijë nxënës sot në rreth 240–260 mijë në fund të dekadës, me një tkurrje gati 30% tek i gjithë arsimi parauniversitar, pa marrë në konsideratë se familjet e tyre mund të largohen nga vendi.

Rrjeti i shkollave nuk do të mbetet i njëjtë. Klasat bëhen më të vogla, shumë shkolla të vogla nuk arrijnë më të mbajnë numrin minimal të nxënësve dhe fillon bashkimi i tyre. Përvoja e vendeve europiane tregon se një rënie rreth 30–35% e nxënësve zakonisht përkthehet në një rënie 20–30% të numrit të shkollave.

Duke qenë se Shqipëria ka më pak se 1,200 shkolla parauniversitare, kjo nënkupton se gjatë dekadës së ardhshme mund të mbyllen ose bashkohen rreth 300–400 shkolla, sidomos në zonat rurale. Në shumë fshatra, shkolla do të zëvendësohet nga transporti i nxënësve drejt qendrave më të mëdha.

Ndikimi më i madh do të ndihet te mësuesit. Sistemi arsimor funksionon me një raport relativisht të qëndrueshëm mësues–nxënës. Kur nxënësit bien me mbi 120 mijë, nevoja për mësues bie ndjeshëm.

Në terma afatgjatë kjo mund të nënkuptojë 9–11 mijë mësues më pak në sistem. Ky proces nuk do të ndodhë me pushime masive, por gradualisht përmes pensionimeve, uljes së punësimeve të reja dhe zhvendosjes së stafit drejt qyteteve ku popullsia po përqendrohet.

Qarqet me rënien më të madhe të lindjeve janë pikërisht ato që do të përballen me mbylljen më të madhe të shkollave: Gjirokastra, Korça, Dibra, Berati, Kukësi dhe Elbasani kanë humbur nga gjysma e lindjeve ose më shumë.

Tirana është përjashtimi kryesor, me rënie shumë më të moderuar, çka do të thotë se sistemi arsimor do të bëhet gjithnjë e më urban dhe i përqendruar në qytete./Monitor.al