Kryetari i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend për ecurinë e hetimeve mbi çështjen e inceneratorëve, i bëri thirrje ish-ministrit Arben Ahmetaj që të bashkëpunojë me drejtësinë.
Dumani deklaroi se Ahmetaj, aktualisht në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale, mund të përfitojë nga statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë nëse vendos të bashkëpunojë me organet hetimore.
“Deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti, por për ne sot ai është person në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale. Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur,” tha kreu i SPAK.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur hetimet për inceneratorin e Tiranës janë ende në fazë paraprake, ndërsa për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit proceset gjyqësore janë mbyllur dhe vendimet janë konfirmuar nga gjykatat.
SPAK thotë se po kryen hetime të gjera për aferën e inceneratorëve, që konsiderohet një nga dosjet më të rëndësishme të korrupsionit në vend, duke përfshirë ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të lidhur me projektet koncesionare në fjalë.













