Aktorja Luiza Xhuvani nderohet me titullin “Mirënjohja e Qytetit nga Bashkia Elbasan

Bashkia e Elbasanit nderoi me titulli “Mirënjohja e Qytetit” aktoren e mirënjohur të kinematografisë shqiptare Luiza Xhuvani.Titulli u dorëzua nga nënkryetari i Bashkisë Artur Guni, pas prezantimit të shfaqes “Zyshë e dashur”, e cila është duke u prezantuar këto ditë si premierë në Tetarin Skampa, ku në rolin kryesor luan Xhuvani. Aktorja Luiza Xhuvani u nderua me motivacionin, “Për kontributin e shquar në teatër dhe kinematografi, e cila me interpretimin mjeshtëror dhe orgjinalitetin e saj ka spikatur , duke fituar kështu zemrat e publikut mbarë shqiptar”.

Luiza Xhuvani mbetet një aktore me shumë pushtet në teatër. Nuk është më çudi që gjithë kërkimet e saj të viteve të fundit janë energji për të kuptuar përmes roleve se si funksionojnë raportet familjare, veçanërisht ato prindër-fëmijë.


Kush është Luiza Xhuvani?
U diplomua aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje dy vjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, fillon karrierën si aktore filmi me “Dhe vjen një ditë” (Infermierja) dhe “Flutura në kabinën time” (Flutura) të V. Priftit, me të cilin fiton Kupën për Aktoren më të Mire në Festivalin e Filmit, të vitit 1985, “Fjalë pa fund” (Magdalena) i S. Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i E. Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i M. Fejzos. Nga viti 1991 e në vazhdim ka një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gj. Xhuvani, nën drejtimin e të cilit interpreton në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit” (Mirjana), me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe së fundi “I dashur armik” (2004).
Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhes, “Dhelpra dhe rrushtë” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier. Jashtë kësaj skene, interpreton në produksionet e pavarura të dramave “Valle Vdekjeje” të Strindbergut dhe “Shërbëtorët” (Kler) të Zhenetit./elbasanion