Aktivistët paralajmërojnë protestë kombëtare më 8 tetor para Kuvendit kundër ndarjes së re territoriale

Është zhvilluar këtë të premte protesta e 125-të kundër qeverisë.

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas nisën marshimin drejt Kryeministrisë.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë brohoritur kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ndër sloganet e dëgjuara gjatë protestës kanë qenë “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria” dhe “Poshtë Edi Rama”.

Protestuesit u grumbulluan më pas përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan protestën dhe përcollën mesazhet e tyre kundër qeverisë.

Gjatë tubimit u njoftua gjithashtu zhvillimi i një proteste kombëtare më 8 tetor përpara Kuvendit, në ditën kur pritet të votohet reforma territoriale.