Aksion “blic” në paraburgimin e Elbasanit dhe burgun e Kosovës së Lushnjes, çfarë u gjet në qeli

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zbardhur detaje nga aksioni “blic” i zhvilluar në institucionet e vuajtjes së dënimit në Lushnjë dhe Elbasan.

Operacioni është zhvilluar mëngjesin e kësaj të diele me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë ushtruar në qeli, regjimet e brendshme, ambientet e përbashkëta dhe sektorët e sigurisë, me fokus evidentimin e sendeve të ndaluara dhe forcimin e standardeve të sigurisë në burgje.

Çfarë u gjet në qeli

Gjatë kontrolleve në IEVP Lushnjë janë konstatuar dhe sekuestruar sende të tepërta dhe aksesorë të mjeteve të komunikimit, mes tyre pajisje elektronike si PS4, USB dhe pajisje të tjera të paautorizuara.

Në operacion janë angazhuar forca të shumta sigurie dhe personel i administratës penitenciare, ndërsa në IEVP Elbasan aksioni është zhvilluar edhe në bashkëpunim me drejtorin e ri të institucionit, në kuadër të forcimit të masave të kontrollit dhe sigurisë.

Sipas autoriteteve, çdo material që përbën element të veprës penale do t’i referohet Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe organeve kompetente për veprime të mëtejshme proceduriale.