Aksidentoi për vdekje dy turistët italianë, burg për të miturin nga Saranda! Avokati: Është i tronditur

Është dhënë masa e sigurisë për 17-vjeçarin Elio Rraku, i cili aksidentoi për vdekje mëngjesin e 24 gushtit, dy turistë italianë Domenico Gritto dhe Vicenzo Tizziano, në aksin rrugor Sarandë – Ksamil.

Mësohet se seanca e përcaktimit të masës së sigurisë ndaj 17-vjeçarit, është zhvilluar në ambientet e spitalit, pasi i mituri vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, pasi edhe ai mbeti i plagosur nga aksidenti.

Mësohet se prokurorja e çështjes, Esmeranda Basho, kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Nërkohë, avokati i të miturit, Çlirim Shahini, kërkoi një masë më të lehtë sigurimi me argumentin se Rraku është i mitur, student dhe i traumatizuar si dhe për të qenë më afër familjes për shkak të gjendjes psikologjike.

Në përfundim të seancës Gjyqtarja Suela Xhani vendosi masën e sigurimit “Arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.