Aksident tragjik në portin e Durrësit: humb jetën 24-vjeçari pjesë e ekuipazhit të anijes “Kybele”

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në bordin e anijes “Kybele”, e cila lundron nën flamurin e Panamasë dhe qëndron e ankoruar në portin e Durrësit me një ngarkesë gruri. Sipas të dhënave paraprake, 24-vjeçari Avaz Yafarov, pjesë e ekuipazhit të anijes, ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë kryerjes së detyrës.

Ambulanca mbërriti menjëherë në vendngjarje, por pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, i riu nuk mundi të shpëtohej. Autoritetet portuale dhe policia kanë izoluar zonën ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një defekt teknik, mungesë të masave të sigurisë apo faktorë të tjerë që çuan në këtë ngjarje fatale.