Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mesditën e së martës në autostradën A1, në provincën e Firences, përgjatë segmentit Variante di Valico, brenda tunelit “di Base”.
Sipas burimeve zyrtare, një kamion është përplasur me një automjet i cili dyshohet se ishte ndalur papritur brenda tunelit. Nga përplasja e fuqishme humbën jetën tre burra, ndërsa dy pasagjere të tjera – një grua 35-vjeçare dhe një vajzë e mitur – mbetën të plagosura rëndë dhe u transportuan me urgjencë drejt spitalit me helikopter. Të dyja ndodhen në gjendje kritike për jetën.
Sipas dëshmive paraprake, disa automjete pas makinës së ndaluar arritën të shmangin përplasjen, por kamioni, pavarësisht përpjekjes për frenim, nuk mundi të ndalojë në kohë.
Autoritetet italiane kanë nisur një hetim të plotë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Pamjet nga kamerat e sigurisë brenda tunelit janë sekuestruar dhe po analizohen për të kuptuar shkaqet e sakta të ngjarjes.
Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por, fatkeqësisht, konfirmuan vdekjen e menjëhershme të tre personave.
