Aksident tragjik në Itali! humbin jetën dy të rinj shqiptarë

Tragjedi në autostradën A22 në Alto Adige: humbin jetën dy të rinj shqiptarë, 19 dhe 20 vjeç në një aksident rrugor

Dy të rinj, 19 dhe 20 vjeç, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur mëngjesin e së premtes, më 30 maj, në autostradën e Brenner-it (A22), në pjesën midis Chiusa dhe Bressanone, në Alto Adige.

Të rinjtë, shqiptarë të Kosovës, Driton Sadikaj nga Deçani dhe djali tjetër nga Malisheva, ishin punëtorë ndërtimi dhe punonin për një kompani ndërtimi vendase në Tirolin e Jugut.

Sipas informacioneve të para, ata po udhëtonin me një furgon të vogël, i cili është përplasur me një kamion të ndalur në korsinë veriore të autostradës, pak para orës 06:30 të mëngjesit.

Përplasja ka qenë fatale për dy viktimat, ndërsa një person i tretë, i cili ndodhej po ashtu në automjet, ka mbetur rëndë i plagosur dhe është nxjerrë nga mjeti i shkatërruar plotësisht.