Aksident tragjik në Itali, humb jetën një 20-vjeçar shqiptar

Një i ri 20-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur tragjikisht jetën mëngjesin e së enjtes në Itali, si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor.

Sipas mediave lokale, ngjarja ka ndodhur në territorin e Revello-s, në provincën e Cuneo-s, në aksin rrugor mes Saluzzo dhe Barge, pranë Abacisë së Staffarda.

I riu shqiptar po udhëtonte me një automjet tip Audi, kur u përplas ballë për ballë me një kamion të tonazhit të rëndë. Përplasja ka qenë fatale për 20-vjeçarin, i identifikuar me inicialet K.G., banues në Saluzzo, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Për nxjerrjen e trupit nga mjeti i shkatërruar ka qenë e nevojshme ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, ndërsa në vend kanë mbërritur edhe shërbimet mjekësore dhe forcat e rendit.

Rrethanat e plota të këtij aksidenti tragjik janë ende nën hetim nga autoritetet italiane.