Aksident tragjik, humb jetën një grua – tre të plagosur, mes tyre një i mitur

Çermë, 13 Shtator 2025 – Një mëngjes i përgjakshëm është shënuar sot në Çermë Sektor, ku një aksident rrugor i mori jetën një gruaje dhe la të plagosur tre persona të tjerë, mes tyre një i mitur dhe drejtuesi i mjetit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur automjeti me të cilin udhëtonin pjestarë të së njëjtës familje doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal pranë aksit kryesor Çermë–Divjakë.

Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i mjetit, Ferit Mekshi, 63 vjeç, humbi kontrollin e makinës, duke shkaktuar përplasjen fatale. Pasojë e aksidentit ishte vdekja e pasagjeres Majlinda Sula, 47 vjeçe, e cila nuk arriti t’u mbijetonte dëmtimeve të rënda.

Tre persona të tjerë mbetën të plagosur: Afërdita Mekshi, 37 vjeçe, një i mitur 15-vjeçar dhe vetë shoferi i automjetit. Të dëmtuarit u transportuan me urgjencë në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Burime nga bluzat e bardha raportojnë se gjendja e tyre shfaqet e rënduar, por vijojnë përpjekjet për stabilizimin e tyre.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit tragjik.