Aksident me vdekje në Durrës! E reja humb kontrollin e mjetit dhe merr përpara 69-vjeçarin që po lëvizte me biçikletë

DURRËS- Një ngjarje tragjike është regjistruar në rrugën Katund Sukth–Fllakë, në qarkun e Durrësit, ku një aksident automobilistik i ka marrë jetën një të moshuari. Sipas informacioneve paraprake, një 29-vjeçare, residente në Durrës, duke drejtuar automjetin e saj, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka goditur një biçiklist 69-vjeçar që po lëvizte në rrugë.

I plagosuri u dërgua me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të rënda dhe ndërroi jetë pak më vonë.

Drejtuesja e mjetit është shoqëruar nga policia për kryerjen e veprimeve procedurale, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të aksidentit.

Njoftimi:

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasen Xh. Ç., 29 vjeçe, banuese në Durrës, pasi, duke drejtuar automjetin në aksin rrugor Katund Sukth–Fllakë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë, automjeti ka përplasur një biçikletë me drejtues shtetasin R. B., 69 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital.