Aksident i rëndë në Viti, ndërron jetë 22-vjeçari

Një aksident tragjik është shënuar në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të qytetit të Vitisë, ku për pasojë ka humbur jetën një i ri 22-vjeçar.

Edhe pse autoritetet policore nuk kanë publikuar ende identitetin e viktimës, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka konfirmuar përmes një postimi publik se bëhet fjalë për të ndjerin Ideal Halabaku.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh te familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë,” shprehet Haliti në reagimin e tij.

Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Halabaku dhe për të gjithë ata që e kanë njohur të riun, duke e cilësuar atë si një djalë shembullor, të dashur dhe plot jetë.

“Humbja e një jete të re është gjithmonë e rëndë, por kujtimi për Idealin do të mbetet i gjallë tek të gjithë ata që e njohën. Në këto momente të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër dhe mendje, duke ndarë me ta dhimbjen e madhe. I përjetshëm qoftë kujtimi i Idealit. Prehu në paqe,” thuhet më tej në mesazhin e tij.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë informacione të detajuara lidhur me rrethanat e aksidentit apo shkaqet që çuan në humbjen e jetës së të riut. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.