Aksident gjatë turit çiklistik Vlorë-Himarë-Llogara/ Çiklistët përplasen me njeri tjetrin, 2 prej tyre rëndë

VLORE-  Disa çiklistë janë përplasur në aksin Kuç-Qeparo teksa garonin në edicionin e 81-të të turit çiklistik të Shqipërisë. Siç bën me dije gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, ka 3 të lënduar, ndërsa dy janë në gjendje të rëndë.

Mësohet se njëri prej çiklistëve është holandez. Aktualisht janë çuar me autoambulancë drejt spitalit të Himarës.

Do shikohet gjendja e tyre dhe më pas mund të dërgohen drejt spitalit të Vlorës apo të Tiranës. Mësohet se çiklistët janë përplasur me njëri-tjetri.

Çiklistët u përplasën teksa po kryenin etapën e katërt të këtij edicioni, etapë e cila përfshin itinerarin Vlorë-Himarë-Llogara.

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Kuç-Qeparo, gjatë itinerarit të garës të etapës së katërt të Turit të 81-të Çiklistik të Shqipërisë, 3 prej çiklistëve dyshohen se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletave dhe si pasojë kanë dalë nga rruga. Të tre çiklistët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.