Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 19:30 në rrugën “Josif Budo” në Kavajë.
Një 24-vjeçar me iniciale F. K., banues në këtë qytet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e makinës dhe për pasojë është përplasur me katër automjete të tjera që ishin të parkuara anës rrugës.
Nga goditja, i riu ka marrë lëndime të lehta dhe është dërguar menjëherë në spital për të kryer kontrollet mjekësore. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale në mjetet e përfshira.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit dhe rrethanat se si 24-vjeçari humbi kontrollin e mjetit.












