SHBA- Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar kufizime të reja për lëshimin e vizave, duke synuar personat që, sipas autoriteteve amerikane, përfshihen në të ashtuquajturin turizëm i lindjeve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se masat synojnë individë dhe rrjete që organizojnë udhëtime drejt SHBA-së me qëllim lindjen e fëmijëve në territorin amerikan dhe përfitimin e shtetësisë. Sipas tij, në këtë kategori përfshihen edhe persona që ndihmojnë në aplikimet për viza, si dhe ofrues të shërbimeve shëndetësore që organizojnë udhëtime të tilla.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka titulluar njoftimin “Mbrojtja e Shenjtërisë së Shtetësisë Amerikane”, ndërsa Rubio akuzoi disa rrjete se përfitojnë financiarisht duke u ofruar të huajve shërbime për lindje në SHBA. Ai tha se këto praktika mund të përfshijnë edhe mashtrime gjatë procesit të aplikimit për vizë.
Sipas Kushtetutës amerikane, me disa përjashtime, personat e lindur në territorin e SHBA-së fitojnë automatikisht shtetësinë amerikane. Presidenti Trump ka kërkuar që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025 të kufizojë këtë parim për kategori të caktuara, por përpjekjet e administratës së tij janë përballur me beteja ligjore dhe vendime gjyqësore




